PETICIONI: Rritja e shpeshtësisë dhe fashave të orarit të linjës Sauk – Tiranë, shtimi i staciocioneve dhe pajisja e tyre me sinjalistikë treguese

Tiranë 19/09/2022

PETICION

DREJTUAR: KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË

Ne, të nënshkruarit, banorë të Bashkisë Tiranë, bazuar në:

-       Nenin 19 të Ligjit nr. 139/20154 të Ligjit nr. 139 “Për vetëqeverisje vendore”

PARASHTRIMI I STIUATËS

Sauku i Vjetër është pjesë e njësisë administrative nr. 2 dhe njësisë administrative Farkë. Rreth 2 km larg nga qendra e qytetit të Tiranës, kjo zonë ka aktualisht një autobuz një herë në një orë, i cili në mëngjes niset rreth orës 6:30 nga stacioni tek “Kafja e Zyberit”. Ndërkohë orari i fundit në darkë nuk është gjithmonë i njëjti siç konstatohet nga banorët dhe përdoruesit e kësaj linje, pasi në dimër mund të jetë deri në 19:00 (qendër Tiranë) dhe 19:30 (Sauk i Vjetër) dhe në verë rreth 21:00 (qendër Tiranë) 21:30 (Sauk i Vjetër) ose deri në 22:00-22:30, pra pa patur një orar fiks. Problemi për sa i përket fashës së orareve është se punëtorëve dhe personave që shkojnë në shkollë ju duhet që autobuzi të niset që në 6:00 për të kapur oraret e punës dhe shkollës. Po ashtu, në darkë është e nevojshme që orari të jetë fiks edhe vonë, për shkak se ka banorë dhe sidomos vajza dhe gra që kanë të domosdoshëm përdorimin e transportit publik për të lëvizur në oraret e vona të darkës. I domosdoshëm është edhe kthimi i linjës së transportit në çdo gjysmë ore, siç ka qenë përpara pandemisë, për shkak të fluksit të jerëzve që nisen për në punë dhe shkollë dhe arsye të tjera, si dhe të kthehen sërish. Pra, ajo çka kërkojmë është zgjatje e fashës orare 06:00- 23:00 dhe shtim të autobuzave çdo 30 minuta në stacion në vend të 60 minutave. Gjithashtu, stacioni i  fundit ku aktualisht shkon autobuzi (“Kafja e Zyberit”) është një zonë shumë e kufizuar për autobuzin që të kthehet. Për më tepër, është larg për një pjesë të mirë të banorëve që banojnë në zonat më lart. Dikur autobuzi shkonte deri tek liqeni i Xhabrahimësve, i cili jo vetëm ju vjen në ndihmë banorëve, por e lehtëson kthimin e autobuzit pasi ka më shumë hapësirë të përshtashme. Kështu, është e nevojshme që të shtohen deri në dy stacione përtej atyre që aktualisht përshkohen nga autobuzi: tek Fabrika e qumështit Extra Milk dhe tek Liqeni i Xhebrahimsëve. Së fundmi, ka mungesë sinjalistike (tabela rrugore treguese) dhe stacioni (vend ku pritet autobuzi) për të përcaktuar ku ndalon autobuzi në stacionet e rrethrrotullimit/kthesa, stacioni “te ura”, stacioni pranë Bar Fiorentinës, stacioni tek “Kafja e Zyberit” dhe dy stacionet e reja që do shtohen.

KËRKOJMË:

1.      Rritjen e shpeshtësisë së linjës së autobusit nga çdo 60 minuta në cdo 30 minuta dhe zgjatjen e fashës së orarit nga ora 6:00 në orën 23:00.

2.      Shtimin e dy stacioneve të reja dhe pajisjen e të gjitha stacioneve me sinjalistikë rrugore treguese.

Afati i nënshkrimit të peticionit është data 30 shtator ora 10:00

Titulli: Rritja e shpeshtësisë dhe fashave të orarit të linjës Sauk – Tiranë, shtimi i staciocioneve dhe pajisja e tyre me sinjalistikë treguese.

përdorni mausin në kompjuter ose gishtin/lapsin në telefonin tuaj për të hedhur firmën digjitale.
është opsionale