PETICION: PËR KUFIZIMIN E PËRDORIMIT TË FISHEKZJARREVE
DREJTUAR: KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË
Ne, të nënshkruarit, banorë të Bashkisë Tiranë, bazuar në:
- Nenin 26, pika 2 të Ligjit nr. 139/20154 të Ligjit nr. 139 “Për vetëqeverisje vendore”
“Bashkitë janë përgjegjëse për sigurimin, në nivel vendor, të masave për mbrojtjen nga ndotja akustike.”
-Direktivën e Bashkimit 2002/49/EC për Zhurmën Mjedisore
DEKLARATA E NËNSHKRUESVE:
Unë i nënshkruari deklaroj në përgjegjësine time se informacioni që kam dhënë është i vërtetë dhe i saktë, gjithashtu nënshkrimi që kam bërë është autentik dhe se unë ka mbështetur këtë peticion vetëm një herë.
PARASHTRIMI I SITUATËS
Gjatë muajve të fundit, dhe veçanërisht në periudha festive, është vënë re një rritje e ndjeshme e përdorimit të fishekzjarrëve në qytetin e Tiranës, shpeshherë pa leje, në mënyrë të pakontrolluar dhe në orare të papërshtatshme gjatë natës. Kjo situatë ka sjellë:
- Shqetësim të vazhdueshëm për qytetarët, sidomos për fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me çrregullime shqisore.
- Rrezik të shtuar për aksidente dhe zjarre.
- Ndotje akustike dhe mjedisore.
- Stres dhe panik te kafshët shtëpiake dhe ato në ambient të hapur.
Shpërthimet e pakontrolluara, që ndodhin shpesh në mënyrë spontane në lagje të ndryshme të qytetit, ndodhin pa asnjë njoftim paraprak dhe jashtë çdo kuadri ligjor. Ligji parashikon që përdorimi i pajisjeve piroteknike të jetë i kufizuar dhe vetëm me leje të posaçme, por në realitet, fenomeni po del jashtë kontrollit.
Bazuar në praktikat ndërkombëtare në vende si Holanda, Mbretëria e Bashkuar apo Skocia, ku është vendosur ndalim apo rregullim i rreptë i përdorimit të fishekzjarrëve në mjediset urbane, ne, qytetarët e Tiranës, kërkojmë që edhe në qytetin tonë të merren masa për të garantuar rend, siguri dhe qetësi publike.
Gjithashtu, sipas Planit të Veprimit për Kontrollin e Zhurmave në Bashkinë Tiranë (2022–2027), zhurmat e tipit impulsiv si fishekzjarrët identifikohen si burime të dëmshme për shëndetin dhe qetësinë publike, veçanërisht në zonat e banuara. Ligji nr. 9774/2007 i detyron bashkitë të vendosin kufizime të qarta për burime të tilla në oraret e natës dhe të shpallin zona të mbrojtura nga zhurmat. Ky plan përbën një bazë të qartë për ndërhyrje administrative dhe normative në menaxhimin e këtij fenomeni.
Nisur nga kjo situatë dhe ndikimi negativ që ka në jetën e komunitetit,
KËRKOJMË nga Këshilli Bashkiak Tiranë:
1. Të ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve në të gjitha zonat e banuara të Tiranës pas orës 21:00 dhe deri në orën 06:00.
2. Të krijohen/shpallen “zona të ndaluara për fishekzjarrë”, veçanërisht përreth: spitaleve, shkollave, kopshteve, çerdheve, shtëpive të të moshuarve dhe zonave me ndjeshmëri të lartë mjedisore apo akustike.
3. Të vendoset një sistem lejesh të detyrueshme për çdo përdorim publik të fishekzjarrëve nga njësia vendore.
4. Të vendosen masa ndëshkuese të qarta për shkelësit, duke përfshirë gjoba administrative, konfiskim mallrash dhe kallëzim penal në rast të rrezikimit të jetës apo pronës.
5. Të përfshihet ndalimi i zhurmave nga fishekzjarrët në planin vendor akustik të Bashkisë Tiranë.
Afati maksimal i nënshkrimit të peticionit është data 30 Nëntor 2025 ora 16:00
Kontaktet e parashtruesve:
Organizata Qëndresa Qytetare: E-mail: qendresaqytetare@gmail.com / 0692203074